Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 20:36

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës vazhdon të punojë përtej planit të paraparë, sipas të cilit duhet të ketë seancë plenare çdo dy javë, ndërkohë që Kryesia e Kuvendit ka vendosur që edhe këtë javë të ketë dy seanca.

Të enjten ligjvënësit do të mblidhen për të shqyrtuar disa projektligje në lexim të parë, ndërkohë të premten ata do të debatojnë lidhur me kërkesën e deputetit të PDK-së dhe një grupi deputetësh, për masakrën në Burgun e Dubravës.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se kjo është një agjendë e ngjeshur e Kuvendit, e cila tejkalon planin e paraparë të punës.

Ai pranon se kohëve të fundit ka vonesa në procedimin e ligjeve nga Qeveria në Kuvend, ndërkohë thekson se në bashkëpunim me Qeverinë është vënë si prioritet miratimi i ligjeve që dalin si sfidë nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës edhe gjatë javës së kaluar ka mbajtur dy seanca radhazi, ku në njërën prej tyre kryeministri Hashim Thaçi ishte në interpelancë me kërkesë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në tjetrën është debatuar për situatën e sigurisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë me kërkesë të deputetit Nait Hasani.

Gjatë kësaj seance, ai që është sulmuar më së shumti për mungesë të punës, ka qenë Misioni i EULEX-it.