Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 20:25

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës nuk kaloi sot në votim, rekomandimin e opozitës kosovare e cila kërkonte që të merrej vendim për pezullimin e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Kuvendi i Kosovës zhvilloi pasditen e sotme një seancë plenare të jashtëzakonshme, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës është debati parlamentar lidhur me dialogun e Qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe marrëveshjet e arritura në këtë dialog.

Seanca e jashtëzakonshme u mbajt sipas kërkesës së grupeve parlamentare të tre partive në opozitë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi, dhe opinionet e paraqitura nga ana e deputetëve të opozitës foli edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Duke e konsideruar në interesin e qytetarëve debatin e sotëm, Thaçi tha se “Qeveria e Kosovës është përcaktuar qartë në përqafimin e vlerave demokratike”. “Në vazhdën e kësaj është duke rrjedhur edhe dialogu teknik me Serbinë”, tha Thaçi.

Thirrjen e disa deputetëve për pezullim të bisedimeve me Serbinë, kryeministri Thaçi e quajti thirrje për izolim të Kosovës dhe kërkesë për prishje të raporteve miqësore me SHBA-të dhe BE-në.

“Kërkesa për pezullim të dialogut është kërkesë për izolim ndërkombëtar të Kosovës, është kërkesë për konfrontim me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të”, theksoi kryeministri Thaçi.

“Për herë të parë institucionet dhe zyrtarët e Kosovës ulen në nivel të barabartë me institucionet e zyrtarët e Serbisë si përfaqësues të shtetit të Kosovës”, shtoi Thaçi.

Sipas tij “ky dialog është i palëve të barabarta, dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen”.

Duke folur për qëllimin e dialogut, kryeministri tha se ai ka për qëllim rregullimin e jetës së qytetarëve dhe raportet ndërshtetërore.

Sipas kryeministrit kosovar, procesi i bisedimeve ecën paralelisht me procesin integrues evropian. Ai siguroi se nuk do të ketë bisedime lidhur me rregullimin e brendshëm, sovranitetin dhe Pavarësinë e Kosovës.

Mbledhja vazhdoi me debate, ku përfaqësuesit qeveritarë theksonin sukseset dhe nevojën e dialogut, ndërsa blloku opozitar e kritikonte ashpër atë dhe kërkonte pezullimin e tij.

Pas debatit të përshkuar me shumë replika, deputeti Ismet Beqiri, në emër të të treja grupeve parlamentare opozitare, të cilat edhe kishin siguruar nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme, kërkoi që të hidhet në votim propozimi për pezullimin e bisedimeve me Serbinë.

Por, deputetët e pranishëm në votimin në fund të seancës së jashtëzakonshme me shumicë votash rrëzuan këtë propozim.