Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 13:58

Prishtinë – Kryesia e Kuvendit të Kosovës miratoi kërkesën e shefave të Grupeve Parlamentare që të mbahet një seancë në të cilën do të miratohet Komisioni për ndryshime kushtetuese dhe Ligjin zgjedhor.

Në seancën e radhës pritet edhe vendimi për emërimin e Guvernatorit të Bankës Qendrore.

Komisionet për ndryshime kushtetuese dhe Ligjin zgjedhor, pritet të miratohen në seancën e 22 prilli të këtij viti.

Kështu ka vendosur sot pas kërkesës së shefave të grupeve parlamentare,  kryesia e Kuvendit të Kosovës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi pas takimit, tha se  në seancën parlamentare pritet që ndryshimet t’i përkrahin të gjitha partitë, ndërkohë që sipas tij ndryshimet kushtetues janë në të mirë të vendit, e jo tendencë për ta dëmtuar Kushtetutë.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri tha se me vendimet e ndryshimeve kushtetuese sidomos për zgjedhjet është jo i ngutur, por i vonuar.

Ai tha se komisionet do të përbëhen nga deputetët dhe mos miratimi i këtyre ndryshimeve do t’i gëzonte vetëm ata që nuk duan që në vend të bëhet diçka e mirë.

Kërkesa shefave të Grupeve Parlamentare që të mbahet një seancë në të cilën do të miratohet Komisioni për ndryshime kushtetuese dhe Ligjin zgjedhor vjen pas marrëveshjes së Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re.

Në seancën e radhës Kryesia e Kuvendit ka vendosur që në rend dite në të njëjtën seancë të jetë edhe emërimi i guvernatorit të Bankës Qendrore.