Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 12:00

Prishtinë – Brenda pak ditësh Gjykata Kushtetuese e Kosovës jep konstatime diametralisht të kundërta për të njëjtën çështje.

Derisa në aktvendimi për çështjen e zgjedhjes së Behgjet Pacollit në krye të shtetit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ajo ka qenë jokushtetuese, duke mos e njohur atë si president, tani në sqarimin e dhënë të premten kjo gjykatë ka ndërruar qëndrimin.

Sipas sqarimit të dhënë, kjo gjykatë thotë se shfuqizimi i mandatit të presidentit është bërë nga 31 marsi i këtij vitit, duke rënë ndesh me akt-vendimin e saj.

Madje, sipas gazetës Zëri, vlerësimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese se Kosova ka president, më saktësisht ka ushtrues detyre dhe nuk ka vakuum institucional e kanë hedhur poshtë edhe ekspertë të së drejtës kushtetuese dhe njohës të sistemit ligjor.

 

U.d. i Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, krejt këto zhvillime i quan realitet i ri.

Ai ka thënë se pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, është krijuar një realitet i ri në skenën politike të vendit.

Kjo çështje, sipas tij, duhet të zgjidhet gjatë javës së ardhshme ndërmjet subjekteve politike.

Ndërkaq, Krasniqi nuk ka dashur të flasë për arsyet eventuale që kanë shtyrë AKR-në të rishqyrtojë pozicionin e saj si partner i koalicionit me PDK-në.

Disa media kanë raportuar se Krasniqi sot e mori postin e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës dhe se pranim-dorëzimi teknik i paraparë për të hënën mund të mos mbahet fare, pasi Gjykata e ka shpallur të pavlefshëm zgjedhjen e Pacollit për president të vendit.