Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 17:36

Prishtinë – Zv.kryeministri i Kosovës dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, po merr pjesë në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, lidhur me përmirësimin e bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale dhe të asetëve të përfituara nga veprimtaria kriminale, që po mbahet në Bërdo të Sllovenisë, ku po marrin pjesë ministrat e Drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ministri i Drejtësisë, njëherësh Kryeprokuror i SHBA, Eric H. Holder.

Konferenca është hapur nga Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor dhe do të zgjase dy dite, bëhet e ditur në një njoftim të zyrës së shtypit të Ministrisë kosovare të Drejtësisë.

Njoftohet se në sesionin e parë të saj, konferenca punimet i filloi me fjalimin e ministri Kuçi, ku ai shpalosi punët që janë duke u bërë nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë, në funksionimin sa më të mirë të sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe për nevojën e bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë, në fushën e sistemit të drejtësisë.

Ai foli edhe për bashkëpunimin e Ministrisë së Drejtësisë me EULEX-in, duke thënë së kontributi i tyre këshillëdhënës, është një ndihmë e madhe për Kosovën.

Ndërsa, gjatë një dreke të përbashkët, ministri Kuçi ka zhvilluar një takim me Ministrin e Drejtësisë, njëherësh Kryeprokuror i SHBA, Eric H. Holder, me të cilin kanë shkëmbyer informacione dhe kane shprehur gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët të dy vendeve, kurse raportet në mes të Kosovës dhe SHBA-së, i kanë cilësuar si të shkëlqyera.