Lajme Shqip Saturday, 24 March 2012 20:00

Prishtinë-Kryetarët e komunave të Kosovës, në një takim të përbashkët organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, diskutuan për Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi, si dhe për Strategjinë Nacionale dhe Planin e Veprimit për Sigurinë në Bashkësi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, prezantoi rolin e Këshillave Komunale për Siguri në Bashkësi dhe Planin e Veprimit për Siguri në Bashkësi  për periudhën 2011-2016.

Ai kërkoi që të funksionalizohet ky mekanizëm që strukturat e sigurisë të jenë më afër qytetarëve, të cilat përveç detyrave të përgjithshme që kanë, duhet të dëgjojnë edhe nga vetë pushteti lokal, bashkësitë etnike, fetare dhe shoqëria civile, se cilat janë problemet reale të sigurisë publike në komunat e tyre.

Gjatë takimit të zhvilluar dje, zv/kryeministri i Republikës së Kosovës dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal,  Slobodan Petrovic, foli për Udhëzimin Administrativ për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme komunale, ndërsa zv/kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, për Implementimin e  Ligjit mbi Inspektoratin e Tregut, Ligjit për Tregun e Brendshëm, funksionimin e Zyrave për Regjistrim të Bizneseve nëpër komuna. (LajmeShqip.com)