Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 20:16

Prishtinë- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, zhvilloi të enjten një takim me zv/kryeministren për Çështje Evropiane të Maqedonisë, Teuta Arifi.

Burimet zyrtare bënë të ditur, gjatë takimit, Arifi njohu bashkëbiseduesin me përpjekjet që po bën Maqedonia drejt integrimit evropian. Në këtë kontekst, ajo foli edhe për bashkëpunimin me Kosovën dhe shtetet tjera të Rajonit.

Duke u ndalur në marrëveshjen e Ohrit, Arifi e konsideroi atë si shtyllën kryesore të stabilitetit të Maqedonisë.

Lidhur me incidentet e fundit në Maqedoni, Arifi sqaroi se “ato po trajtohen me seriozitet për shkak të ndjeshmërisë që kanë, duke mos lënë hapësirë për qasje selektive”.

Në këtë drejtim, ajo vlerësoi pozitivisht edhe qëndrimet e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat, theksoi ajo, “ishin konstruktive e në frymë të proceseve euroatlantike”.

Kryetari i Kuvendit Krasniqi duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, theksoi se “duhet të përqendrohemi në krijimin e marrëdhënieve sa të mira të partneritetit, të cilat duhet të përforcohen gjithnjë, duke inkuadruar në këto rrjedha edhe komunitetet”.