Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 16:00

Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i kërkoi kryetarit të PE-së që të ushtrojnë ndikimin e tij dhe të Parlamentit, te pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë, si dhe kërkoi një përkrahje më të madhe për procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën e integrimin evropian.

Krasniqi ka filluar sot vizitën në Bruksel, në ditën e parë të së cilës ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian (PE) e të Senatit belg dhe do të marrë pjesë në takimin e përbashkët parlamentar të organizuar nga PE-ja dhe Kuvendi Kombëtar i Hungarisë, me temën “Ballkani Perëndimor – drejt një Evrope më të integruar”.

Kryetari Krasniqi zhvilloi takime me kryetarin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek dhe zëvendëskryetaren e Senatit belg, Helga Stevens, të cilët i njoftoi me gjendjen dhe arritjet në Kosovë.

Sipas Zyrës së shtypit të Kuvendit të Kosovës, kryetari i PE-së, Buzek, tha se Parlamenti Evropian është gati të mbështesë pavarësinë, demokracinë dhe ekonominë e lirë të Kosovës. Ai vuri theksin në dy aspekte të veprimeve që duhet të ndërmarrë Kosova: reformat e gjithanshme dhe bashkëpunimin në rajon.

Buzek theksoi se përveç dialogut që po zhvillohet me Serbinë, është mirë që në të ardhmen, Kosova të ndërmarrë edhe hapa të tjerë të bashkëpunimit me fqinjët dhe me Serbinë.

Kryetari i Parlamentit Evropian shprehu kënaqësinë që, megjithatë, procesi për zgjedhjen e institucioneve në Kosovë, duke përfshirë edhe atë të presidentit të fundit, përfundoi suksesshëm.