Prishtinë- Lista e votuesve kosovarë brenda pak muajve është shkarkuar nga mbi 30 mijë persona të vdekur dhe votues që nuk kanë shtetësi kosovare e që përbënin potencial për abuzim me vota.
Kjo punë po bëhet nga një ekip i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme i cili ka paraqitur të dhënat e deritashme të punës me pastrimin listës së votuesve.
Florian Dushi anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kryesues i këtij ekipi ka thënë se strategjia e përmirësimit të listës së votuesve ka pasur një progres linear.
Alban Krasniqi, gjithashtu anëtari KQZ-së, ka thënë se armiku më i madh i listës së votuesve mbetet fakti i gjysmë milionë personave që posedojnë ende letërnjoftime të UNMIK-ut.
Deri më tani nga lista e votuesve janë hequr 15 mijë persona të vdekur dhe 6 214 raste janë në proces. Gjithashtu janë hequr mbi 10 mijë persona që kanë humbur shtetësinë dhe 60 mijë të tjerë që kanë pasur kode të gabuara në vendbanimet e tyre.