Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 11:00

Prishtinë – Ka filluar konferenca dyditore për arsimimin e të rriturve, me temën arsimi joformal dhe trajnimi, faktorë kyç për zhvillimin ekonomik dhe social në Kosovë, ku mes tjerash u tha se qëllimi i kësaj konference është nxitja e bashkëpunimit në mes MASHT, MPMS dhe MRKS.

Me këtë rast ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka deklaruar se prioritet i punës së tij është ngritja e cilësisë së arsimit.

Buja ka theksuar se vetëm me dije mund të integrohemi në strukturat europiane.

Ministri Buja, ka deklaruar se është ndarë një buxhet i veçantë prej 7% për arsimimin e të rriturve dhe ngritjen e cilësisë së arsimit.

Kurse, Defrim Rifaj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka folur për aftësimin e të rriturve dhe punësimin, duke thënë se kjo është edhe një përgjegjësi e kësaj ministrie.

Ndërkohë, edhe pse ishte paraparë të ishin të pranishëm edhe ministri i MPMS Nenad Rashiq, përkatësisht ai i MRKS-së Memli Krasniqi, ata munguan për shkak të, siç u tha,  agjendës së tyre të ngjeshur.