Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 15:17

Prishtinë -. Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë mbështetur njëzëri qeverinë e Kosovës për vendosjen e integritetit të kufijve të Kosovës, sundimin e ligjit dhe zbatimin e Kushtetutës, si dhe funksionimin e doganave të Republikës së Kosovës edhe në pikat 1 e 31.

Komisioni për Punë të Jashtme  e inkurajon qeverinë e Republikës së Kosovës që gjithsesi ta vazhdojë luftimin e grupeve kriminale në veri, të cilat e sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë policin Enver Zymberi dhe duke plagosur shumë të tjerë. Komisioni për Punë të Jashtme i shpreh ngushëllime familjes së policit të ndjerë Zymberi dhe ndan dhembjen me të afërmit, miqtë dhe kolegët e tij.

Komisioni për Punë të Jashtme i bën thirrje Bashkimit Evropian dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë që t’i përkrahin dhe ndihmojnë institucionet dhe popullin e Kosovës në luftimin e informalitetit dhe kriminalitetit drejt bërjes së Kosovës sovrane, demokratike, me integritet territorial dhe sundim të ligjit për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Komisionit për Punë të Jashtme.