Lajme Shqip Sunday, 22 May 2011 17:01

Prishtinë – Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Erhard Bühler dhe Komandanti i mëparshëm i KFOR-it, Gjenerali Roland Kather (2006-2007), së bashku me Kryeministrin Hashim Thaçi, morën pjesë, sot, në Meshën e Shenjtë dhe ceremoninë e Shenjtërimit të Kishës Katolike Romane në Klinë dhe të Altarit të kësaj kishe. Mesha u kremtua nga Ipeshkvi i Ipeshvisë së Kosovës, Monsinjor Dodë Gjergji, së bashku me Priftin aktual të Klinës, Atin Don Lorenzo Sopi dhe ish-Priftin e mirënjohur të Klinës, Atin Don Fran Sopi, tani Pastor në Pejë, si dhe me përfaqësues të tjerë të komunitetit katolik.

Në komunikatën e Zyrës së KFOR-it për marrëdhënie me publikun bëhet e ditur se në Meshën e Shenjtë morën pjesë rreth 1000 besimtarë, duke mbushur kështu kishën, por edhe duke e ndjekur ceremoninë nga jashtë.

Menjëherë pas ndërhyrjes së NATO-s, në vitin 1999 dhe me fillimin e përgjegjësisë së KFOR-it për Klinën, në muajin qershor të atij viti, u vu themeli për Kishën e re Katolike – Romane, e cila u shenjtërua nga Ati Don Fran Sopi, më 30 gusht 1999.

Kaluan disa javë, para se ai më në fund, bashkë me ndihmën e autoriteteve të KFOR-it, të fillonte me ngritjen e këtij vendi për adhurim. Për Atë Sopin ajo ishte një ditë madhështore dhe një ngjarje tejet e veçantë dhe e gëzueshme, sepse ai në vitin 1974 gjatë periudhës komuniste kishte qenë i detyruar të shihte dhe të përjetonte shkatërrimin e Kishës antike Katolike të Klinës. Gjatë fazës së komunizmit, në mbarë Evropën Lindore dhe Juglindore, ishte një kohë e vështirë për grupet fetare.

Komandanti i KFOR-it nga viti 2006 deri në vitin 2007, Gjenerali Roland Kather, aktualisht Përfaqësues Kombëtar i Gjermanisë në Komitetin Ushtarak të NATO-s dhe me stafin ndërkombëtar ushtarak të Bashkimit Evropian, dhuroi një Kryq të çmueshëm Altari, të gdhendur me dorë nga Bavaria, në Gjermani. Do të jetë një shenjë besimi dhe ngushëllimi për besimtarët që vijnë në këtë kishë.

Gjenerali Kather dhuroi kryqin, jo vetëm për të ndihmuar të krishterët katolikë, por gjithashtu për të treguar që çdo religjion i qetë (paqësor) luan një rol të rëndësishëm për njerëzit në një shoqëri tolerante.

Gjenerali Bühler konfirmoi këtë parim, duke theksuar se misioni i KFOR-it, për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë, gjithmonë ka përfshirë forcimin e marrëdhënies paqësore dhe të besueshme ndërmjet religjioneve të ndryshme.