Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 12:58

Deputeti i Parëtisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili është anëtarë i Komisionit për inteligjencë, ka kërkuar shkarkimin e kryetarit të këtij komisioni, Florin Krasniqi, i cili vie nga Vetëvendosje, me arsye se ka shkelur konfidencialitetin e komisionit, por këtë kërkesë Krasniqi e quan të tejkaluar, pasi komisioni i ka dhënë mbështetje në votëbesimin ndaj tij.

Haxhiu në një konferencë të mbajtur për media të mërkurën, ka kërkuar shkarkimin e Krasniqit nga kryetari i Komisionit parlamentar për inteligjencë, me arsyetimin se ka bërë keqpërdorime dhe ka shkelur pozitën e tij si kryetar i komisionit.

Ai si shkelje ka theksuar edhe deklarimin se PDK përfiton mbi 300 milionë euro, ndërsa komisioni që ai udhëheq ka vetëm 3 milionë euro. Haxhiu i ka bërë thirrje Krasniqit, se të gjitha dëshmitë për keqpërdorime që mund t’i ketë, t’i dorëzojë në prokurori.

Ai po ashtu ka pohuar se do të vazhdojë të marr pjesë në mbledhjet e komisionit, ndërsa kërkesën zyrtare për shkarkim të Krasniqit, do t’ia dërgojë Kryesisë së Kuvendit, pasi sipas tij, Krasniqi ka bërë shkelje edhe të konfidencialitetit të komisionit.  

I pyetur nga mediat, se pse merret vetëm me Vetëvendosjen, ai ka thënë se nuk merret me Vetëvendosjen, por është Vetëvendosja ajo që ka shpif ndaj tij dhe ai vetëm ka sjell faktet në seancën e Kuvendit.

Haxhiu nuk ka mohuar se ka qenë anëtar i SHIK-ut, duke u ndjerë krenar për kontributin që ka dhënë aty, ndërsa ka pohuar se të gjithë ata që SHIK-un e quajnë organizatë kriminale, janë vetë pjesë e krimit, duke aluduar në këtë rast në Krasniqin.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Flroin Krasniqit, duke thënë do të bëjë çka është e mundur që ky komision me qenë krejtësisht apolitik.

“Ky komision është parlamentar, për mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, nuk është komision i SHIK-ut, as i shërbimeve tjera inteligjente. Herëve tjera do të jem shumë i kujdesëm që këto mbledhje të mbahen vetëm për komisionin parlamentar”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka mbrojtur sërish deklarimet e tij për përfitimet e mëdha që bënë PDK, siç tha ai në “kurriz të popullit”, madje me shifra tejet të larta, deri në gjysmë miliardi euro, por nuk është përgjigjur konkretisht nëse ka fakte për këto deklarime.

Ndryshe, deklarimet dhe kundër deklarimet për përfshirje në afera korruptive mes Krasniqit dhe PDK-së kanë zënë fill rreth një vit më parë, dhe të cilat tani janë bartur edhe në seancat e Kuvendit të Kosovës.