Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 16:52

Prishtinë – Partitë parlamentare në Kosovë pritet t’i fillojnë konsultat për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës.
Nga Presidenca u njoftua sot pasdite se “në kuadër të konsultimeve rreth zhvillimeve të fundit në vend, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e subjekteve politike në vend”.
Bëhet e ditur se takimet do të fillojnë ditën e mërkurë, kur Krasniqi do të ketë takime të veçanta me drejtuesit e subjekteve politike parlamentare.
Kryesia e AAK-së, në mbledhejn e sotme, “rikonfirmon qëndrimin e saj se situata e tashme mund të tejkalohet përmes respektimit të plotë të Kushtetutës së Kosovës, krijimit të konsensusit politik në Kosovë dhe përgatitjes së mirë politike dhe teknike të proceseve të ardhshme”.
Dje, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së rikonfirmoi qëndrimin se “zgjedhja e presidentit të jetë rezultat i një marrëveshjeje politike që do të shprehë interesat jo vetëm të subjekteve politike që janë në pozitë, por edhe të atyre që janë në opozitë, përkatësisht të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Nuk dihet ende kur Kosova do bëhet me president pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e vlerësoi jokushtetuese zgjedhjen e Pacollit në këtë post më 22 shkurt pa kandidat alternativ dhe pa praninë e së paku dy të tretave të deputetëve në seancën e Kuvendit të Kosovës, nga e cila ishte larguar opozita.