Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 18:59

Prishtinë – Nesër në mëngjes, në orën 9:00 ne mjediset e Presidencës kosovare, do të bëhet dorëzim-pranimi i detyrës së Presidentit të Kosovës, ku do të rikthehet në krye të shtetit kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Sipas njoftimit të dhënë pak më parë nga Presidenca, “pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi merr postin e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit të Kosovës. Nesër në Kabinetin e Presidentit do të organizohet ceremonia e dorëzimit të detyrës nga presidenti i deritashëm, Behgjet Pacolli dhe pranimi i saj nga ana e z.Krasniqi”.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ishte president në detyrë edhe pasi ish-presidenti Fatmir Sejdiu dha dorëheqje 6 muaj më parë, pas konstatimit të Gjykatës Kushteuese, se kishte bërë shkelje serioze të Kushtetutës me mabjtjen edhe të postit të kryetarit të LDK-së.

Më 27 shtator 2010, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, bazuar në Kushtetutë, deklaroi marrjen e ushtrimit të detyrës së Presidentit të Kosovës menjëherë pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut po atë ditë, ndërsa të nesërmën u bë pranim-dorëzimi i detyrës.

Kryeparlamentari Krasniqi aktualisht është në një mandat të ri pas zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme që pasuan dorëheqjen e Sejdiut dhe largimin e LDK-së nga koalicioni qeverisës.

Ai ishte në krye të një delegacioni të Kuvendit të Kosovës në vizitë zyrtare në Hungari, prej nga u kthye para kohës së planifikuar kur Gjykata Kushtetuese e vlerësoi jokushtetuese zgjedhjen e Presidentit Pacolli në Kuvend më 22 shkurt.