Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 14:58

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot një delegacion të Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Kosovës, të përbërë nga zonja Vahide Hoxha dhe Vehap Shita. Delegacioni e përgëzoi presidenten për zgjedhjen në krye të vendit, duke i dëshiruar sukses në punën e saj.
Sipas zyrës së shtypit të Presidencës kosovare, Presidentja Jahjaga tha se Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Kosovë e radhiti popullin e saj në rezistencën kundër fashizmit përkrah Aleancës së madhe të popujve kundër Boshtit të Nazizmit. Presidentja tha se historia do ta vlerësojë pozitivisht dhe të dobishme këtë periudhë të historisë së Kosovës dhe të kombit. 
Ajo tha se e çmon faktin se veteranët e LANÇ-së në momentet kyçe të historisë së vendit janë përcaktuar drejt dhe i kanë dhënë përkrahje Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së drejtë për çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.