Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 18:16

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot zv/kryeministrin, njëkohësisht ministër i Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviç, i cili e njohu atë për përparimet në zbatimin e procesit të decentralizimit në Kosovë.

Petroviç e cilësoi procesin e decentralizimit mjaft të rëndësishëm dhe tha se axhenda e realizimit të këtij procesi në veriun e vendit si dhe vendosja e një sistemi demokratik të udhëheqjes është përparësi e punës së tij. Ai e njohu presidenten Jahjaga me punën e Ekipit Përgatitor Komunal dhe konsultimet e zhvilluara me përfaqësues të komunitetit në veri të Mitrovicës, bën të ditur zyra e shtypit e Presidencës kosovare.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi punën e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe ofroi mbështetjen e saj në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, për realizimin e procesit të decentralizimit.