Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 20:00

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjeneral Major Kadri Kastrati.

Gjeneral Major Kastrati e informoi Presidenten Jahjaga për objektivat dhe detyrat e FSK-së, me theks të veçantë për procesin e arritjes së kapaciteteve të plota operacionale, marrjen e detyrave shtesë brenda mandatit aktual, për zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së pas arritjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale, si dhe përgatitjen e FSK-së për të ardhmen.

Presidentja Jahjaga, duke i vlerësuar lart sukseset e Forcës së Sigurisë së Kosovës në procesin e arritjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale, ritheksoi gjithë mbështetjen e saj për FSK-në në drejtim të përmbushjes së objektivave të përgjithshme.

Ky takim ishte një raportim i rregullt që Komandanti i FSK-së i bën Presidentes së Republikës së Kosovës, e cila është edhe Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës.