Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 14:43

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Gjermanisë në Kosovë, Hans-Dieter Stienbach, i cili i përcolli urimet e Presidentit të Gjermanisë për zgjedhjen në detyrën e re, duke u shprehur i bindur se ajo do t’ia dalë të përmbushë me sukses të gjitha obligimet e mëdha që ka si Presidente e vendit.

Presidentja Atifete Jahjaga, sipas njoftimit nga Presidenca kosovare, falënderoi për urimet dhe për përkrahjen që shteti gjerman i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat. Ajo theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes të dy vendeve mike dhe u shpreh në të mirë të intensifikimit të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat, me theks të veçantë në përkrahjen për sigurimin e njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, por edhe në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe në fushat e tjera.