Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 16:05

Prishtinë – Shtimi i numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe sigurimi i kushteve fizike dhe materiale, ndikon në krijimin e institucioneve të pavarura, efikase dhe të paanshme, ka thënë presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Me rastin e fillimit të Programit fillestar për arsimim ligjor të gjeneratës së katërt të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, Jahjaga tha se sistemi gjyqësor është një prej shtyllave bazë të institucioneve të Kosovës.

Ajo po ashtu kërkoi nga kandidatët që kanë fituar të drejtën për trajnim që t’i përkushtohen sa më shumë këtij trajnimi.

Kryetari i Gjykatës Supreme dhe kryetar i Këshillit Drejtues Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, Fejzullah Hasani, ka thënë se zbatimi i këtij programi është mjaft produktiv .

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se kjo ministri ka planifikuar themelimin e Akademisë së Drejtësisë, e cila në të ardhmen e afërt mendohet të shkrihet Instituti i Drejtësisë në Kosovë dhe kjo akademi të jetë qendra kryesore e arsimimit të vazhdueshëm ligjor.

Ndryshe, presidentja Jahjaga dorëzoi në mënyrë simbolike modulet trajnuese tek kandidati më i suksesshëm në provimin përgatitor 2011.

Nga 161 kandidatë sa kanë konkurruar, vetëm 44 kandidatë kanë fituar të drejtën për këtë program trajnimi, i cili përfshin trajnimet speciale nga fusha e drejtësisë.