Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 10:40

Prishtinë – Gazeta e përditshme bullgare “Dnevnik” dhe Agjencia e Lajme e Sofjes “Novinite” kanë botuar dy intervista ekskluzive me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në të cilat ai ka folur për zhvillimet e fundit në dhe rreth Kosovës, për progresin e shtetit në proceset e brendshme shtetndërtuese, forcimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar dhe për avancimin e proceseve integruese të Kosovës në mekanizmat euroatlantik.

Në intervistën për “Dnevnik”, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, ka shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës për të forcuar marrëdhëniet me vendet e rajonit, përfshirë edhe Bullgarinë, sidomos në avancimin e bashkëpunimit në ekonomi, arsim, tregti, kulturë.

Hoxhaj ka thënë se për Kosovën është e rëndësishme puna e bërë nga Bullgaria në të kaluarën për t’u bashkuar me BE-në, duke shtuar se Bullgaria është shembull shumë i rëndësishëm për Kosovën në procesin e përgatitjes së vendit për integrim në BE.

Lidhur me perspektivën integruese të Kosovës, Hoxhaj ka thënë se së pari, Kosova duhet të marrë një udhërrëfyes për viza, në mënyrë që të fillojë plotësimi i kritereve për këtë proces.

“Së dyti, është shumë e rëndësishme që të ketë një marrëdhënie kontraktuale me Komisionin Evropian, sepse në këtë mënyrë mund të marrim përkrahje për zhvillimin ekonomik dhe tregtar”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se tashmë duhet të merren hapat e nevojshëm në përputhje me shtatë masat e propozuara nga KE në vitin 2009, në lidhje me të ardhmen evropiane të Kosovës.

Rreth procesit të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, Hoxhaj ka thënë se Serbia duhet të fillojë të pranojë realitetin se Kosova është një vend i pavarur. “Është shumë e rëndësishme që të ketë marrëdhënie normale dhe të mos përdoret fjalori që ka përdorur ndonjëherë Beogradi. Të shmangen ofertat që vijnë nga Boris Tadic, në lidhje me ndarjen e territorit të Kosovës, për të krijuar shtete mono-etnike më të mëdha të Serbisë dhe të Shqipërisë në rajon. Është e vërtetë e rëndësishme që kjo retorikë të jetë harruar”, ka thënë Ministri Hoxhaj.

Ndërkaq, në intervistën për Agjencinë e Lajme të Sofjes “Novinite”, Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova dhe Bullgaria në të ardhmen pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje, të cilat mund të përdoren për promovimin e marrëdhënieve të ngushta jo vetëm ndërmjet dy qeverive dhe dy shteteve, por edhe në raportet ndërmjet dy shoqërive dhe dy popujve tanë.

Lidhur me avancimin e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve, Ministri Hoxhaj ka thënë se hapi i parë që duhet të ndërmerret është nënshkrimi i disa marrëveshjeve në mbështetje të njerëzve të biznesit në Bullgari dhe Kosovë.

Duke iu referuar ideve të Beogradit për ndarjen e Kosovës, Ministri Hoxhaj ka thënë se Kosova është shteti i shtatë i pavarur i dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. “Kjo do të thotë që çështjet e kufijve, shteteve dhe territoreve në rajon, janë një kapitull i mbyllur. Ne nuk do të pranojmë kurrë idetë për ndarje etnike dhe territoriale sepse këto ide do të krijonin jostabilitet, do të prodhonin dhunë dhe i tërë rajoni do të kthehej prapa, aty ku ishte para 20 vjetësh”, ka thënë Hoxhaj.

Rreth ideve për krijimin e shteteve të mëdha kombëtare në rajon, Ministri Hoxhaj po ashtu ka thënë se është vizion anti-evropian promovimi i konceptit të shteteve një-etnike, duke shprehur përkushtimin e plotë të popullit të Kosovës për krijimin e një shteti civil, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Planin e Ahtisaarit.