Lajme Shqip Friday, 07 September 2012 15:33

Prishtinë -Komandanti i ri i misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR-it, në Kosovë, prej sot është gjeneralmajori Volker Halbauer, për të katërtën herë radhazi një gjeneral i Bundesverit, i cili zëvendëson gjeneralmajorin Erhard Drews.

Në ceremoninë zyrtare të ndërrimit të komandës, të mbajtur në Kampin Film City në Prishtinë, Presidentja e Kosovës, Atifete  Jahjaga,  tha se Aleanca Veri-Atlantike, me forcën paqeruajtëse të saj në Kosovë, KFOR, kanë luajtur rol transformues në Kosovë në misionin e tyre.

“Kjo forcë, e përbërë nga mijëra burra dhe gra, të ardhur nga mbi 40 vende të botës, ka ofruar paqe dhe siguri për qytetarët e Kosovës, duke na dhënë mundësinë që të ndërtojmë të ardhmen në një mjedis të qetë dhe të sigurt, të cilin kjo gjeneratë e Kosovës nuk e kishte njohur më parë”, u shpreh ajo.

Presidentja kosovare, me dekret të veçantë e nderoi gjeneralin Drews me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë, duke vlerësuar kontributin e tij, ndërsa gjeneralit Halbauer i uroi mirëseardhje dhe përmbushje të suksesshme të misionit, në bashkëpunim  me institucionet e Republikës së Kosovës, në ruajtjen e rendit dhe ligjit, paqes, sigurisë, stabilitetit, mirëqenies dhe mirëkuptimit në mes njerëzve, duke u shprehur e sigurt në përkushtimin në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës.

“Askush nuk mund të minojë investimin tonë të përbashkët, për një të ardhme më të mirë për të gjithë në Kosovë – sakrificën e gjeneratave të tëra të qytetarëve të Kosovës dhe mijëra ushtarëve të NATO-s.  Do të vazhdojmë të punojmë në përmbushjen e vizionit dhe misionit tonë të përbashkët që ta bëjmë Kosovën një vend stabël dhe gjithëpërfshirës, në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike”, theksoi Presidentja Jahjaga.

Gjeneralmajori Erhard Drews para një viti mori komandën nga gjeneralmajori Erhard Bühler. Halbauer është komandanti i gjashtë i KFOR-it, që nga vendosja e trupave ndërkombëtare në Kosovë, në 1999.(LajmeShqip.com)