Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 12:35

Prishtinë – Pasaportat biometrike do të fillojnë të lëshohen gjatë verës, ndërsa tash është në fazën e fundit procesi i përzgjedhjes së kompanisë që do t’i prodhojë pasaportat.

Edona Baruti, këshilltare e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se procedurat e tenderit që pati shpallur kjo ministri tashmë janë në fazën përfundimtare dhe se kompania fituese që do të prodhojë këto pasaporta do të dihet shumë shpejt.

Në anën tjetër eksperti i çështjeve të integrimit evropian Avni Mazreku vlerëson se me fillimin e dhënies së pasaportave biometrike, institucionet e vendit përmbushin njërin ndër kriteret kryesore të procesit të liberalizimit të vizave.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në fund të vitit të kaluar, pati shprehur zhgënjimin e tij në institucionet evropiane pasi ato bënë të ditur se dorëzimi i udhërrëfyesit nuk do të ndodhë në atë kohë.

Kosova ende nuk e ka marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian. Megjithatë institucionet e vendit po përmbushin një plan të njëanshëm të kritereve për liberalizimin e vizave.