Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 21:52

Prishtinë – Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Fernando Gentilini do të zhvillojë nesër takime me drejtuesit e institucioneve më të larta të Kosovës.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se Gentilini do të zhvillojë takime të ndara me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi. Nga zyra e EUSR është paralajmëruar edhe një konferencë me gazetarë, e organizuar pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një deklaratë më 6 maj, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, përshëndeti vendimin për emërimin e Fernando Gentilini-t si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë deri më 31 korrik 2011.

“Jam shumë e kënaqur që Këshilli, në bazë të rekomandimit tim, ka emëruar Fernando Gentilinin si Përfaqësues Special të BE-së në Kosovë. Fernando Gentilini e njeh shumë mirë Ballkanin Perëndimor e veçanërisht Kosovën, dhe unë pres bashkëpunim shumë të ngushtë me të”, tha ajo.