Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 09:03

Prishtinë – Dokumenti  kornizës së kurrikulumit të ri është në përfundim e sipër, thonë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Por, ende nuk dihet se kur do të fillojë zbatimi i plotë i kurrikulumit.

Korniza e re kurrikulumit paraqet dokumentin kryesor për ciklin e ri të reformave në sistemin e arsimit në Kosovë.

Flora Kryeziu, udhëheqëse e ekipit teknik për kurrikulum, tha se korniza e kurrikulumit të ri përmban shumë elemente të kornizës së vitit 2001. Korniza e re përmban gjashtë kompetencat, të cilat duhet t’i zotërojnë nxënësit gjatë shkollimit të detyrueshëm.

Për informimin e mësimdhënësve, ende nuk janë shpërndarë udhëzues nëpër shkolla. Ndërkohë, udhëzuesit që do t’u shpërndahen mësimdhënësve, janë në proces.

Këta udhëzues, do të përcaktojnë edhe rolin e mësimdhënësve, që duhet të kenë në zbatimin e kurrikulumit.

Sipas Kornizës së re të Kurrikulumit të Kosovës, viti shkollor zgjatet në 40 javë, gjuha angleze do të fillojë si lëndë nga klasa e parë, fillohet me mësimin e integruar, promovohen qasje të reja të vlerësimit të nxënësve, menaxhimit dhe funksionimit të tërësishëm të shkollës.