Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 14:00

Prishtinë – Shefi i Shtabit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, po qëndron në Kosovë, me një ekip nga IOWA dhe EUCOM-i, për caktimin e fushave të bashkëpunimit bilateral, për vitin 2013.

Koloneli Gary Freese, ka premtuar që edhe në të ardhmen, Garda Kombëtare e IOWA-s, do ta ndihmojë FSK-në në të gjitha drejtimet, bën të ditur ministria kosovare në një komunikatë për media.

Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Agim Çeku dhe komandanti gjeneral lejtnant Kadri Kastrati kanë pritur sot shefin e Shtabit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, kolonelin Gary Freese, në takime të ndara.

Kjo vizitë realizohet në kuadër të thellimit të bashkëpunimit pas nënshkrimit të partneritetit shtetëror për bashkëpunimin mes FSK-së dhe Gardës Kombëtare të IOWA-s. Ministri Çeku dhe gjeneral lejtnant Kastrati kanë falënderuar SHBA-në dhe Gardën Kombëtare të IOWA-s për ndihmën që po japin për FSK-në.

Ministri dhe Komandanti i FSK-së, gjithashtu e kanë njoftuar Shefin e Shtabit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, kolonelin Freese për zhvillimet dhe arritjet e Forcës së Sigurisë të Kosovës, si dhe për objektivat e zhvillimit të FSK-së, për të ardhmen.