Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 16:43

Prishtinë – Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të ndërmarrë një fushatë të gjerë për informimin dhe vetëdijësimin e punëdhënësve rreth zbatimit të ligjit të punës.

Ministri Nenad Rashiq e shpalli prillin muaj të amnistisë për të gjithë punëdhënësit që nuk i kanë regjistruar punëtorët, ndërkaq theksoi se fushata do të zhvillohet në të gjitha qytetet e Kosovës.

Ligji i punës, i cili ka filluar të zbatohet nga një janari i këtij viti, ende po hasë në vështirësi, sidomos në sektorin privat. Me qëllim të zbatimit të plotë, Ministria e Punës prej nesër do të fillojë një fushatë informimi dhe vetëdijesimi në të gjitha qendrat e vendit, njoftoi ministri i punës dhe mirëqenies sociale, Nenad Rashiq.

Gjatë muajit prill, inspektorët e punës do t’i vizitojnë ndërmarrjet vendore, që t’i informojnë rreth obligimeve që kanë sipas ligjit të punës, tha kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi.

Ibrahimi njoftoi se Ligji i punës ka filluar të zbatohet tashmë në shumë ndërmarrje, veçmas sa i përket orarit të punës.

Ai inkurajoi punëtorët që të raportojnë rreth të gjitha shkeljeve eventuale në vendet e tyre të punës.

Për zbatimin e ligjit të punës sivjet janë paraparë 4.8 milionë euro. Kurse ndëshkimet për ata që nuk respektojnë Ligjin e punës dhe Ligjin për sigurinë në punë arrijnë deri në 35 mijë euro.