Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 17:50

Prishtinë – Sot, në ditën ndërkombëtare të sensibilizimit kundër minave, filloi sezoni vjetor i çminimit nga njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në fshatin Halilaq të komunës së Fushë Kosovës.

Ministri i FSK-së, Agim Çeku, tha se “puna juaj është një punë e dinjitetshme, por edhe me rreziqe të mëdha për jetën tuaj, por kjo dëshmon gatishmërinë tuaj deri në sakrificë për t’i shërbyer vendit”.

Çeku përmendi edhe tri objektivat kryesore të kësaj njësie, të cilat po realizohen me sukses, siç janë sensibilizimi i qytetarëve nga minat dhe nga mjetet e tjera të pashpërthyera, zbulimi i tyre në terren, si dhe shkatërrimi i këtyre mjeteve të rrezikshme, si fazë përfundimtare të cilën FSK-ja, po e kryen me sukses.

Komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, kolonel Skënder Hoxha, tha se këtë vit do të punohet intensivisht në pastrimin e të gjitha fushave të minuara në Kosovë, e në veçanti në Halilaq, në Koshare – zonën kufitare me Shqipërinë, në fshatin Milaj, në Kazermën e FSK-së në Ferizaj dhe në Gërmi, mal afër Prishtinës.

Ky është viti i dytë që njësitet e çminimit (EOD), të pavarura, po zhvillojnë me sukses pastrimin e fushave të minuara.