Lajme Shqip Tuesday, 01 May 2012 13:05

Washington – Raporti i ri për Lirinë e Mediave i Freedom House, vëren se në Evropën Qendrore dhe Lindore, klasifikim ky ku hyn edhe Kosova dhe fqinjët e saj, është shënuar një rënie për dallim nga viti i kaluar.

Për Kosovën është përmendur si përmirësim rënia e trendit të sulmeve ndaj gazetarëve si dhe transparenca më e madhe e pronësisë së mediave. Zëvendëspresidenti për strategji dhe analiza në Freedom House, Kristofer Uoker shpjegon se “derisa kemi qenë në vitet e fundit të shqetësuar në lidhje me dhunën kundër gazetarëve dhe në disa raste mungesën e energjisë në reagimin e autoriteteve për t’u marrë me këtë çështje, është  parë një lehtësim relativ gjatë këtij viti.

”Kjo ka kontribuar në një përparim modest vlerësimit për Kosovën këtë vit”, tha për Radion Evropa e Lirë, Kristofer Uoker. Ngjashëm si Kosova, edhe vendet e rajonit gjenden në kategorinë e shteteve me liri të pjesshme të shtypit. Shqipëria në raportin e fundit ka marrë notë më negative 51, kurse Maqedonia thuhet se ka shënuar ulje të madhe 54, ndërkaq, në gjendje më të mirë vlerësohet të jetë liria e shtypit në Bosnjë e Hercegovina me notën 48, edhe më lart, gjendet Mali i Zi e Serbia të dy këto shtete kanë marrë notën 35.

Hungaria ka rrëshqitur nga vendi i lirë, në atë me liri të pjesshme të shtypit. Në tabelën e radhitjes së vendeve të anketuara, Serbia së bashku me Malin e Zi hyjnë në vendin e 75-të, Kroacia në të 83-tin, Bosnjë e Hercegovina në të 95-in, Kosova në vendin e 97, Shqipëria në vendin e 107 si dhe Maqedonia e fundit në atë të 115-in. Kosova gjendet në kategorinë e njëjtë me Indonezinë, Nikaraguan, Nigerin, Sierra Leonen, Tanzaninë dhe Lesoton. (LajmeShqip.com)