Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 12:06

Prishtinë – Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili shpall antikushtetuese mënyrën sesi Kuvendi Kosovës zgjodhi presidentin. Të gjitha institucionet po presin shpalljen e plotë të vendimit të Gjykatës që pritet të bëhet nesër (të mërkurën).

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së presidentit doli më i papritur sesa mendohej. Askush nga institicuonet e vendit nuk pranon të dalë me qëndrime përderisa pritet vendimi i plotë i Gjykatës, i cili do të bëhet publik nesër rreth orës 11.

Nga zyra e presidentit Pacolli askush nuk flet për vendimin. Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës do të presë nëse Gjykata në vendimin e saj do të sugjerojë se si të veprohet më tutje.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka refuzuar të deklarohet deri në monetin kur do ta posedojë aktgjykimin.

“Nuk mund të flas pa e parë vendimin. Me hipoteza nuk mund të flas”, ka thënë ai.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme nuk diskutoi për këtë çështje, megjithatë kryesuesi i mbledhjes, Xhavit Haliti, tha se do të respektohet vendimi i Gjykatës dhe do të veprohet konform vendimit të saj.

Sipas tij, tash për tash është vështirë të flitet për veprimet e mëtutjeshmë, sepse ende nuk dihet qëndrimi i vetë presidentit Pacolli.

“Unë nuk di se çfarë është qëndrimi i presidentit, a do të paraqesë dorëheqjen apo do t’ia lë parlamentit të Kosovës të merret me këtë çështje, ka thënë ai.

Ndërkaq, partitë opozitare vlerësojnë se të gjitha vendimet që janë marrë nga presidenti Pacolli deri më tani duhet të shpallen të pavlefshme. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, thotë se deputetët e kësja partie mbesin te qëndrimet e njëjta dhe se nuk do të marrin pjesë në seancë edhe nëse ndodhë rivotimi për presidentin.

Ai flet për disa skenarë që mund të ndodhin pas vendimit të Gjykatës.

“Opcioni i Kuvendit është që të sillet një kandidat i ri ose edhe i njëjti për zgjedhje, shpejt. Opcioni i dytë është që të gjenden modalitete qoftë për ndryshime të formulave qeverisëse dhe në këtë rast kemi afat 6 muaj, që do të thotë edhe 6 muaj do të kemi ushtrues detyre të Presidentit, i cili do të jetë Jakup Krasniqi. Në rast se as pas 6 muajsh nuk kemi zgjedhje të presidentit, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje të reja”, ka thënë Gjini.

Dje Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka vlerësuar si të pranueshme ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, duke vlerësuar kështu se vendimi për zgjedhjen e tij ka qenë jokushtetues.

Vendimi u bë publik dje pasdite dhe është përgjigje ndaj kërkesës së 34 deputetëve nga LDK dhe AAK, që i kishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të dhënë opinionin e saj rreth procedurës së zgjedhjes së Behgjet Pacollit në postin e presidentit të Kosovës. Megjithatë, vendimi i plotë do t’iu dorëzohet palëve të mërkurën rreth orës 11:00.

Pacolli u zgjodh president më 22 mars, në rrethin e tretë të votimit në parlament, me 62 vota pro, 4 kundër dhe një të pavlefshme.