Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 11:34

Prishtinë – Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR), Pieter Feith, viziton sot zyrën rajonale të ICO-së në Pejë. “Qëllimi i kësaj vizite është që të përshëndesë ekipin me rastin e mbylljes së kësaj zyre dhe të falënderojë partnerët rajonalë të saj për bashkëpunimin e tyre”, bëhet e ditur në njoftimin për media.

Më 26 qershor, Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) njoftonte se do të ristrukturojë praninë e saj në rajonet e Kosovës dhe se ka vendosur të mbyllë zyrat e saj rajonale në Pejë, Prizren, Gjilan dhe Prishtinë më 1 shtator 2011.

“Kjo është pjesë e riorganizimit të saj institucional në përgjigje të progresit të bërë në zbatimin e dispozitave të Propozimit Gjithëpërfshirës të Statusit”, theksohej në njoftim.

Bëhej e ditur se Njësia për Çështje të Komunitetit, që ndodhet në zyrën qendrore të ICO-së në Prishtinë, do të riorganizohet për të marrë përsipër monitorimin e zhvillimeve në këto rajone dhe për t’i mundësuar ICO-së që të ketë kapacitetin për të ndërhyrë në nivelin lokal nëse është e nevojshme.

Zyra e ICO-së në Mitrovicë do ta vazhdojë punën e saj, duke përfshirë edhe përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për krijimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut.