Lajme Shqip Sunday, 03 July 2011 19:06

Prishtinë – Duke komentuar rreth marrëveshjeve të arritura mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në dialogun e zhvilluar në Bruksel, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, tha sot se ato janë në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Unë i mirëpres këto marrëveshje mes dy vendeve dhe përgëzoj negociatorët për qasjen e tyre të duruar dhe konstruktive”, tha Feith, në deklaratën e njoftuar nga zyra e tij.

“Këto rezultate na japin shpresë se dialogu në të ardhmen do të përfshijë edhe fusha të tjera dhe do të vazhdojë të ofrojë përfitime vërtetë praktike për qytetarët. Kjo do të ndihmojë në krijimin e një modeli të angazhimit të respektueshëm fqinjësor, në promovimin e bashkëpunimit më të ngushtë rajonal dhe në avancimin e perspektivës evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, theksoi Feith.

“Ne presim implementimin në kohë të këtyre marrëveshjeve në mënyrë që të forcohet më tej besimi”, përfundoi ai.