Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 18:59

Prishtinë – Ekspertët e EULEX-it nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore (DML), në bashkëpunim me zhytësit për kërkim-shpëtim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë kryer një operacion për kontrollim në një zonë në liqenin e Livoçit afër Gjilanit, në kërkim të personave të pagjetur.

“Në këtë rast nuk janë gjetur mbetje mortore”, tha Alan Robinson, bashkëdrejtues i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, duke shtuar se ekipi është i gatshëm të shkojë atje prapë dhe të bëjë kërkime “nëse do të kemi informacione më të sakta”.

Ky operacion ishte rezultat i një bashkëpunimi në mes të EULEX/DLM-së dhe FSK-së. “Ne jemi shumë mirënjohës për përkushtimin dhe profesionalizimin e treguar nga ana e FSK-së, dhe me gjithë dëshirë do të bashkëpunojmë me ta gjatë operacioneve tona të ardhshme”, theksoi Robinson.

Nesër në Zhilivodë, afër Vushtrrisë, EULEX/DLM-ja, në bashkëpunim me FSK-në, do ta rifillojë kontrollin e asaj zone, i cili kishte filluar në fund të muajit gusht 2010. Këto gërmime pritet të zgjasin rreth 4 muaj.

Që nga koha kur ekspertët e EULEX-it i janë bashkuar DML-së në dhjetor të vitit 2008, ky departament ka kryer rreth 270 operacione në terren. Janë gjetur më shumë se 135 persona të pagjetur, përfundohet në njoftimin e EULEX.

Në Kosovë, 12 vjet pas luftës, rezultojnë ende mëse 1800 persona të zhdukur.