Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 17:10

Prishtinë – Enti i Statistikave të Kosovës ua ripërsëriti thirrjen të gjithë qytetarëve të vendit që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë, kur kanë mbetur vetëm edhe 2 ditë deri në përfundimin e tij.

Zyrtarët e lartë të ESK-së njoftuan se menjëherë pas përfundimit të regjistrimit të popullsisë do të fillojë procesi i anketimit të pasregjistrimit.

Që të hiqen të gjitha dilemat nëse procesi i regjistrimit është zhvilluar sipas standardave të kërkuara, Enti i Statistikave të Kosovës do të zhvillojë anketën pasregjistruese.

Genc Krasniqi, nga ESK, tha se anketa do të fillojë menjëherë pas përfundimit të procesit të regjistrimit, me datën 16 prill dhe do të përfundojë me 22 prill.

Sipas Krasniqit qëllimi i kësaj ankete është vlerësimin e kualitetit të mbulueshmërisë dhe përmbajtjes së regjistrimit.

Kryeshefi i ESK, Ibrahim Shabani bëri edhe njëherë thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë. Sa i përket veriut, Shabani tha se procesi pritet të fillojë edhe atje dhe isntitucionet e Kosovës nuk do të presin deri në pafundësi serbët që të jenë pjesë e procesit.