Lajme Shqip Thursday, 08 September 2011 11:58

Prishtinë – Gjeneral Majori, Erhard Drews, nga Gjermania, do të marrë nesër detyrën e komandantit të KFOR-it në Kosovë, duke zëvendësuar Gjeneral Majorin Erhard Bühler.

Në një njoftim për shtyp të zyrës së KFOR-it për marrëdhëniet me publikun, bëhet e ditur se “ceremonia e dorëzimit të detyrës do të bëhet nga Komandanti i Forcave të Përbashkëta me Komandë në Napoli, Admirali Samuel J.Locklear nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Gjeneral Majori Erhard Drews është një komandant me përvojë dhe i njohur me situatën në Ballkan dhe historinë bashkëkohore të Ballkanit. Në vitin 2001 ka shërbyer në kuadër të misionit të NATO-s në Bosnje. Ai iu bashkua ushtrisë në vitin 1971 dhe aktualisht shërbente si Komandant i Divizionit Ajror Mobil në Veitshöchheim të Gjermanisë.

Sipas burimeve, Gjeneral Majori Erhard Bühler e ka marrë detyrën e Komandantit të KFOR-it nga Gjeneral Lejtnant Markus Bentler në 1 shtatorin e vitit të kaluar.