Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 14:17

Prishtinë – Gjatë qëndrimit në Uashington, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Mbrojtjes –Pentagonit, Joseph Mc Millan.

Në Departamentin e Shtetit, ministri Hoxhaj është takuar me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Gordon.

Hoxhaj i ka njoftuar zyrtarët amerikanë për progresin që ka arritur shteti i Kosovës në këto tri vjetët e fundit, për stabilitetin e brendshëm politik që ka Republika e Kosovës, për përkushtimin e Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për një shtet funksional, efikas dhe shumetnik.

Zyrtarët amerikanë e kanë siguruar ministrin Hoxhaj se Uashingtoni e mbështet fuqishëm progresin e brendshëm në Kosovë dhe fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar si dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në politikën ndërkombëtare.