Lajme Shqip Friday, 04 November 2011 21:25

Prishtinë-Kërkohet të ekzaminohen dhe identifikohen mbetjet mortore të 55 personave të gjetura në zonën afër ish-kazermës ushtarake në lagjen Bair të Mitrovicës, të cilat janë rivarrosur dje, ndërsa supozohet të jenë të shqiptarëve të vrarë nga ushtria serbe gjatë Luftës së Dytë Botërore.    

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës,  mbështeti sot kërkesën e Komunës së Mitrovicës, familjarëve të personave të zhdukur dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut- Qendra rajonale në Mitrovicë, që mbetjet mortore të zhvarrosura në lagjen Bair – Mitrovicë, të ekzaminohen dhe identifikohen përmes analizës së ADN-së.    

Më datë 15 tetor 2011, gjatë punimeve në rrugën “Sami Gashiani”, lagjja Bair, afër ish-kazermës ushtarake, janë gjetur mbetjet mortore, të cilat pas ekzaminimit nga ana e ekspertëve, pranë Departamentit të Mjekësisë Ligjore, është konkluduar se nuk i përkasin viktimave të luftës së viteve 1998-’99.   

Po ashtu, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka mbështetur iniciativën dhe angazhimin e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, që në përkrahje të kërkesës së familjarëve të personave të zhdukur, përmes kompanisë së specializuar, të largojnë mbetjet mortore nga zona ku janë gjetur.

Mirëpo, gjatë punimeve kanë vazhduar gjetjet tjera, ku nga data 29 tetor 2011 e deri më 1 nëntor 2011, janë zhvarrosur mbetjet mortore të 55 personave, të cilat janë rivarrosur më 3 nëntor 2011, në varrezat e martirëve në Shipol të Mitrovicës.    

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të angazhohet dhe kërkon nga institucionet përkatëse që të jetësohet kërkesa e Shoqatës së Familjarëve “Zëri i Prindërve”që këto mbetjet mortore të identifikohen.