Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 15:25

Prishtinë – Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), ka mbajtur një takim konsultativ lidhur me themelimin e Akademisë së Drejtësisë, në të cilinë kanë marrë pjesë përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë të institucioneve të drejtësisë.

Zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë,  Hajredin Kuçi, tha së në vazhdën e aktiviteteve për fuqizimin e sistemit të drejtësisë, Ministria e Drejtësisë ka shfaqur idenë për themelimin e Akademisë së Drejtësisë.

“Me themelimin e Akademisë së Drejtësisë mëtojmë t’i shkrijmë të gjitha trupat joformale ekzistuese të trajnimit të vazhdueshëm ligjor, dhe t’i ngrejmë ato në nivelin më të lartë, atë Akademik. Qëllimet kryesore të kësaj akademie do të jenë definimi i proceseve të edukimit të vazhdueshëm ligjor dhe koordinimi i tyre, në mënyrë që të ketë programe të unifikuara dhe të bashkërenduara, të cilat u ofrohen gjyqtarëve dhe prokurorëve tanë. Rrjedhimisht, qëllimi kryesor i kësaj Akademia do të jetë që të arrihet performanca kompetente, profesionale, e pavarur, e paanshme dhe efikase e gjyqtarëve dhe prokurorëve tanë, por edhe e praktikuesve të tjerë të drejtësisë”, tha Kuçi.

Ndërsa, Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, njëherësh kryesues i grupit punues për themelimin e Akademisë së Drejtësisë, Fejzullah Hasani, pasi vlerësoi nismën e themelimit të Akademisë së Drejtësisë, tha se përkundër kësaj, pozita dhe pavarësia e  institucioneve të drejtësisë duhet të jetë e pandryshuar.

Duke vlerësuar nismën për themelimin e Akademisë së Drejtësisë, si një institucion për edukim ligjor, Kryeprokurori Ismet Kabashi tha se gjyqtarët, prokurorët, noterët, avokatët etj., zbatojnë ligjet e njëjta të sistemit të drejtësisë së Kosovës, andaj sipas tij, të gjithë ata duhet të kishin trajnime në një qendër e cila do të kishte trajnime unike dhe një interpretim unik të praktikave dhe të ligjeve të zbatueshme në Kosovë. (LajmeShqip.com)