Lajme Shqip Wednesday, 02 January 2013 14:07

PRISHTINE – Në Kosovë fëmija i parë i vitit 2013 është djalë. Ai ka lindur në orën 00:01 dhe mban emrin Edi. 

Nëna Afërdita Zogaj nga Prishtina tregon se ai është fëmija i gjashtë i saj, ndërsa i vogli është në gjendje të mirë shëndetësore dhe peshon 4 kilogram e 600 gram, ndërsa 58 centimetra i gjatë.

“Jam shumë e lumtur që pas 5 vajzave tashmë kam një djalë, e që është dhurata më e bukur për vitin 2013. Urime të gjithëve 2013-ta, gëzuar!”, tha ajo për mediat kosovare.

Për ta përshëndetur dhe uruar nënën dhe Edin e vogël në Klinikën e Gjinekologjisë së QKUK-së, erdhi edhe presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahajga, por edhe drejtori i QKUK-së, Nijazi Gashi dhe sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani. 

“Urova nënën për lindjen e fëmijës në këtë natë të vitit të ri. Nënës dhe Edit të vogël i dëshirova një jetë të gjatë të shëndetshme të lumtur dhe me shumë begati. Të kalojë një fëmijëri dhe një jetë afër dashurisë prindërore, familjare dhe një jetë të suksesshme dhe një të ardhme me plotë të mira dhe mbarë në familjen e tij. Dua ta përgëzojë stafin dhe personelin e QKUK-së, klinikën gjinekologjike të Prishtinës dhe gjithë personelin dhe stafin e shërbimeve shëndetësore që gjithmonë japin shërbime kualitative dhe janë pranë qytetarëve”, tha Jahjaga.(LajmeShqip.com)