Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 08:00

Prishtinë-“Demokracia në Veprim”, në bashkëpunim me Komisionin për Amendimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përfundoi debatin publik me një takim me qytetarë në komunën e Prishtinës, ku u mirëpritën nga kryetari i komunës, Isa Mustafa.

Anëtarët e Komisionit informuan qytetarët për të gjitha debatet publike që kanë mbajtur me qytetarët, në Prizren, Mamushë, Mitrovicë, Drenas, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Gjilan, si dhe debatin me studentët e Universitetit të Prishtinës.     

Prishtinasit ngritën dilemën nëse do të ishte i plotë amendimi i kushtetutës në qoftë se nuk amendohet edhe neni që përcakton kompetencat e Presidentit.    

Ndërkaq, sa i përket dilemave të hapura që ka lënë komisioni, qytetarët e Prishtinës dhanë mendime të ndryshme, në çështjen se a duhet të mbahet dyshtetësia. Disa propozuan që të mbahet dyshtetësia deri në momentin e kandidimit për President, e disa të tjerë propozuan që kandidatët të heqin dorë nga shtetësia e dytë në momentin e zgjedhjes.     

Pati propozime për kohëzgjatjen dhe financimin e fushatës për zgjedhjen e Presidentit. Disa ishin të mendimit që të kufizohen fondet financuese e disa vlerësuan që të jetë një shumë e barabartë për të gjithë, në mënyrë që të sigurohet një garë e barabartë.