Lajme Shqip Sunday, 17 July 2011 19:26

Prishtinë – Udhëheqësit e tre bashkësive më të mëdha tradicionale në Kosovë, Myftiu Naim Tërnava nga komuniteti mysliman, Peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije nga kisha ortodokse serbe, Ipeshkvi Dodë Gjergji nga kisha katolike dhe komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler biseduan sot në një takim joformal për çështjet e interesit të përbashkët.

Udhëheqësit diskutuan për ruajtjen dhe përmirësimin më tej të vlerave fetare, respektin e ndërsjellë të bashkësive fetare dhe kulturën e tolerancës dhe paqes, njofton zyra e KFOR për marrëdhënie me publikun.
Gjenerali Buhler shprehu kënaqësinë për bisedimet, të cilat pasqyrojnë frymën e pajtimit në shoqërinë kosovare dhe ndonëse joformal, e vlerësoi takimin si historik dhe rrugë drejt së ardhmes, ku të gjitha dallimet etnike dhe fetare do të tejkalohen. 
Buhler shpreson dhe është optimist se bisedime të mëtejshme do të mund të aranzhohen, thanë burimet e KFOR-it, ndërsa ofroi ndihmën e tij për ngjarje të tilla të rëndësishme të cilat janë në interes të KFOR-it dhe misionit të tij për paqe. 
“Atmosfera miqësore e simpatisë dhe tolerancës reciproke mbretëronte në mes pjesmarrësve të takimit”, theksohet në komunikatë.