Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 11:33

Prishtinë – Kosova në dialogun teknik me Serbinë në Bruksel, lidhur me lëvizjen e lirë të qytetarëve të dy vendeve, insiston në parimin e reciprocitetit, bëhet e ditur pas përfundimit mbrëmë të raundit të tretë.
“Ne kemi insistuar dhe mbetemi që për çfarëdo zgjidhjeje të aplikohet parimi i reciprocitetit”, ka deklaruar udhëheqesja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri.
Theksohet se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për herë të parë është folur për gjetjen e zgjidhjes për lëvizje të lirë të qytetarëve mes dy vendeve.
Në raportimet nga Brukseli bëhet e ditur se sipas një komunikate të lëshuar nga Bashkimi Evropian “fokusi kryesor ishte në lirinë e lëvizjes. Diskutimet shkuan rreth disa aspekteve si, kartat e identitetit, pasaportat, sigurimi i veturave, patenta e shoferëve dhe tabelat e veturave”.
Paralajmërohet se raundi i radhës i dialogut do të mbahet nga mesi i muajit maj.
Zv/kryeministrja Edita Tahiri, javën e kaluar ka raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, lidhur me procesin e bisedimeve teknike me Serbinë, të filluara më 8 mars. Ajo ka specifikuar se është biseduar për kthimin e dokumentacionit kadastral dhe regjistrave civilë, të cilët janë marrë me forcë në përfundim të luftës në Kosovë, më 1999, si dhe për çështje të energjetikës dhe të telekomunikacionit. Ajo ka pohuar se janë afruar qëndrimet për regjistrat civilë dhe për energjetikën, por se janë shumë larg persa i përket regjistrave kadastralë dhe çështjeve të telekomunikacionit.