Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 15:50

Prishtinë – Në një ceremoni solemne organizuar nga Ministria e Drejtësisë, të premten kanë dhënë betimin 42 noterë të rinj. Me këtë rast, u vlerësua se shërbimet e noterisë në sistemin e drejtësisë janë një prej zhvillimeve më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë në Kosovën e pasluftës.

Ministri i drejtësisë, Hajredin Kuqi, theksoi se përmbyllja e fazës së parë të sistemit të noterisë do të kontribuoj, siç ka thënë ai, në ndërtimin e arkitekturës së drejtësisë në Kosovë. Kuqi është shprehur i bindur se do të ndërtoj edhe standardet të reja në drejtësinë Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci duke uruar noterët e rinj, ka vlerësuar se sistemi i noterisë është një mundësi më e mirë, për shërbime më të mira në sistemin e drejtësisë.

Kurse, kryeprokurori Ismet Kabashi, në një fjalim të shkurtër para noterëve, i ka porositur ata që të punojnë me zell, dhe të jenë të kujdesshëm gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

Nga ana tjetër, edhe kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, e ka vlerësuar të rëndësishëm sistemin noterial të Kosovës. Ai theksoi se me këtë sistem do të fuqizoj edhe më shumë sundimin i ligjin në Republikën e Kosovës.

Përndryshe, nëpërmjet sistemit të noterisë , synohet të lehtësohet puna e gjyqtarëve nëpër gjykata si dhe lehtësimi i disa procedura gjyqësore për qytetarët. (Express)