Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Bruksel, ku nesër do të nënshkruajë marrëveshje për ripranim me shtetet e Beneluksit.
Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Brendshme, marrëveshjet me përfaqësuesit e shteteve të Beneluksit kanë për qëllim parandalimin e migrimit ilegal në këto vende si dhe liberalizimin e vizave. “Këto marrëveshje janë në vazhdimësi të punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme për axhendën evropiane dhe liberalizimin e vizave”, theksohet në njoftim.
Po ashtu, ministri Rexhepi gjatë këtij udhëtimi zyrtar do të ketë takim me përfaqësues të Komitetit për Politika Operacionale të NATO-s në Selinë Qendrore, ku do të diskutojë për sigurinë në Kosovë dhe për tema të tjera.