Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 19:11

Prishtinë-Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi ka vizituar lagjen Fusha e Pajtimit në Prishtinë ku janë të vendosura 17 familje. Qëllimi i vizitës ishte të shihet nga afër gjendja aty, tani kur temperaturat janë shumë të ulta.     

“Shqetësuese dhe e papranueshme gjendja e mjerueshme ku jetojnë këta njerëz. Kjo jetë është e padinjitetshme. Aty ku nuk ka dinjitet, as që mund të shkohet më tutje e të flitet për të drejta të njeriut!” u shpreh Avokati i Popullit. i përballur me gjendjen në këtë vendbanim.

Kontejnerë pothuajse të shembur nga bora, njerëz që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, mes tyre fëmijë e pleq, të ftohtë, uri e lagështi në ambientet ku ata e bëjnë jetën, janë konstatimet që secili vizitorë mund t’i jap sapo të arrij në këto baraka të arnuara e montuara nga materiale të ndryshme.

Zgjidhja e çështjes së banimit për këto familje tashmë është ekzistenciale. Shumica prej tyre ndodhen në po këto kushte tashmë 5-6 vite. Shqetësues është fakti se përkundër apeleve që u janë bërë institucioneve kompetente, veçmas Komunës së Prishtinës, që ky kamp të mbyllet, autoritetet vazhdojnë të sjellin familje të tjera.

“Mospërfillja institucionale është tashmë diçka që nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë. Ky kamp duhet të mbyllet!” ka thënë z. Kurteshi, i cili u ka bërë apel institucioneve shtetërore të nivelit qendror e lokal, që të gjejnë zgjidhje sa më shpejtë që të jetë e mundur.
 

Avokati i Popullit ka vizituar këtë vendbanim edhe gjatë stinës së verës. Që atëherë  kanë ndryshuar temperaturat nga njëri ekstrem në tjetrin, por nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket jetës së këtyre njerëzve.

Dëshmitarë të kësaj gjendjeje të rëndë, me përmasat e injorimit institucional dhe njerëzor, ishin edhe gazetarët e mediumeve të ndryshme në vend, të cilët e përcollën Avokatin e Popullit gjatë kësaj vizite.