Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 16:40

Prishtinë – Ministrat e Brendshëm të Austrisë e Kosovës, në një takim sot në Vjenë, u shprehën dakord për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe migrimit.

Ministrja e Punëve të Brendshme e Austrisë, Johanna Mikl-Leitner, në takim me homologun kosovar, Bajram Rexhepi, përgëzoi angazhimin e autoriteteve të Kosovës në ndërmarrjen e reformave të nevojshme në kuadër të axhendës evropiane.

Ajo tha se Kosova e ka merituar hapjen e dialogut për viza dhe në këtë proces Austria do të ndihmojë në plotësimin e të gjitha kritereve të nevojshme.

Sipas burimeve zyrtare të ministrisë kosovare, ministri Rexhepi falënderoi homologen austriake për qëndrimin pozitiv dhe përkrahës të Austrisë ndaj përpjekjeve të Kosovës në axhendën e saj evropiane dhe në veçanti për përkrahjen e dhënë në përfshirjen e Kosovës në dialogun për viza.

Ministri Rexhepi e informoi ministren Mikl-Leitner rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, duke vënë në pah sigurinë në veriun e Kosovës.

Ai falënderoi pjesëtarët austriakë në kuadër të KFOR-it, të angazhuar në këtë pjesë të Kosovës dhe u uroi shërim sa më të shpejtë ushtarëve të kontingjentit austriak, që u plagosën së fundi nga grupet kriminale në veri të Kosovës.