Lajme Shqip Tuesday, 22 March 2011 16:36

Prishtinë – Zbatimi i vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nuk është gjithnjë lehtë i pranueshëm. Edhe pse të obliguara, institucionet shtetërore dhe publike, që përjashtojnë punëtorët e tyre, nuk tregohen të gatshme që të rikthejnë në punë punëtorët e tyre.

Hyrmet Veliu, i cili ishte drejtor i arkivit ndërkomunal në Prizren, është përjashtuar nga puna, pa ndonjë motiv të qartë. Ai thotë se është zgjedhur drejtor vitin e kaluar dhe kontrata e tij ka qenë deri në dhjetor me mundësi vazhdimi. Në janar të këtij viti ai është larguar nga puna nga Agjencia e Arkivave të Kosovës. sipas tij nuk ka pasur asnjë motivacion për largim nga puna, por kjo është bërë nga njerëz për interesa personale.

Pas përjashtimit nga puna, Veliu është ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikqyrës për shërbimin civil të Kosovës. Këshilli pas shqyrtimit të lëndës me datë 11 mars, ka aprovuar si të bazuar ankesën dhe ka obliguar agjencinë shtetërore të arkivave, që në afatin prej 15 ditësh të zbatojë këtë vendim. Vendimi duhet të zbatohet nga kryeshefi ekzekutiv i agjencisë shtetërore të arkivave të Kosovës, Jusuf Osmani. Për zbatimin e këtij vendimi kanë mbetur edhe tre ditë afat.

Në një deklaratë për Radio-Kosovën, Osmani, tha se është në pushim mjekësor, ndërsa si zëvendësim i tij aktualisht është zyrtari tjetër i lartë i arkivit të Kosovës, Hamit Shala. Por, ai tha se ende nuk kanë marrë vendim për rikthimin e Veliut në vendin e tij të punës, pasi sipas tij, kjo varet nga kryeshefi ekzekutiv.

Ndërkaq, Bajram Ajeti nga Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për shërbim Civil tha se pas ankesës së Hymret Veliut, kanë bërë një monitorim të rastit dhe kanë konstatuar se janë bërë shkelje për këtë çështje. Ai tha se këshillli ka marrë vendim që ai të ri-kthehet në vendin e punës.

Afati ligjor për t’u ekzekutuar ky vendim është 15 ditë që nga momenti  i marrjes së vendimit për rikthinin e tij në vendin e punës. nëse ky vendim nuk ekzekutohet nga kryeshefi ekzekutiv i agjencisë shtetërore të arkivave, atëherë, ankuesi ka të drejtë të vazhdojë deri në gjykatën kompetente.