Prishtinë – Me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Baroneshës Catherine Ashton, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, do të marrë pjesë në Forumin për Ballkanin Perëndimor, nesër në Luksemburg.
Burime zyrtare të MPJ-së bënë të ditur sot pasdite se ministri Hoxhaj, do të ketë takime të veçanta me Baroneshën Ashton si dhe me shumë ministra të Punëve të Jashtme të shteteve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, të përfaqësuar në këtë Forum.
Bashkëpunimi Rajonal dhe perspektiva Evropiane e Ballkanit Perëndimor do të jetë ndër temat kryesore që do të diskutohen në këtë Forum, ku pritet të marrin pjesë të gjithë ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor.