Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 13:35

Prishtinë – Presidentja, dy zv/kryeministra dhe ministri i Punëve të Jashtme, janë angazhuar për politikën e jashtme të Kosovës, ndërkohë kjo ka bërë që disa prej tyre të kërkojnë sqarim të kompetencave, sikur që ishte Behgjet Pacolli, i cili është emëruar ditë më parë zv/kryeministër i parë për marrëdhënie ndërkombëtare, lobim dhe investime të huaja.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, nuk sheh përzierje të kompetencave, përkundrazi e sheh si pozitive involvimin e më shumë personaliteteve në politikën e jashtme, kurse ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli thekson se e konsideron këtë si një bërthamë të mirë të politikës së jashtme të Kosovës.

Me Kushtetutë, përkatësisht me nenin 84 i cili flet për kompetencat e presidentit, në pikën 10 thuhet se presidenti i Republikës së Kosovës e udhëheq politikën e jashtme të vendit.

Ndërkohë, politika e jashtme është mision i Ministrisë së Punëve të Jashtme, por po ashtu Kosova ka dy zëvendëskryeministra për këtë lëmi, Edita Tahiri, e cila është emëruar si zëvendëskryeministre e ngarkuar për çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë nacionale, ndërsa Behgjet Pacolli së fundi është emëruar zëvendëskryeministër për marrëdhënie ndërkombëtare, lobim për njohje dhe investime të huaja.

Kryediplomati Enver Hoxhaj, këtë e sheh si një mbështetje të politikës së jashtme, e cila synohet që të jetë më aktive dhe më dinamike.

Ai ka thënë se edhe strategjia për njohje, e cila është hartuar nga MPJ-ja do të ndahet dhe do të implementohet ngushtë me zv/kryeministrin Pacolli, sikur që do të ketë mbështetje të plotë edhe për zëvendëskryeministren Tahiri në procesin e dialogut teknik me Serbinë.

Edhe Ibrahim Makolli, u.d. i kryetarit të AKR-së konsideron se nuk ka përzierje të kompetencave në këtë rast, madje thekson se me një koordinim të mirë, do të mund të kishte një bërthamë të mirë të politikës së jashtme.

Behgjet Pacolli kishte kërkuar që të qartësohen kompetencat e tij si zëvendëskryeministër i parë. Por ministri Hoxhaj thotë se çdo gjë është e qartë sa i përket kompetencave të tij, përderisa thekson se profili i Pacollit, do t’i shërbejë shumë politikës së jashtme të Kosovës.

Ndërkaq, Makolli mendon se përveç ndihmës që mund t’ia japë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Pacolli mund ta ndihmojë në mënyrë të veçantë edhe Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

Zyrtarët e Qeverisë mendojnë se involvimi i sa më shumë personaliteteve në politikën e jashtme do t’i shërbente vendit në këtë fazë në të cilën ndodhet, jo vetëm sa i përket njohjeve, por edhe sa i përket investimeve të huaja dhe krijimit të marrëdhënieve bilaterale.