Lajme Shqip Tuesday, 22 March 2011 14:58

Prishtinë – Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, ndërsa kryeqytetin do ta ndihmojë në tejkalimin e sfidave me të cilat po përballet.

Kështu tha ambasadori i ri britanik në Kosovë Xhen Klif në një takim që zhvilloi sot me kryetarin e Prishtinës dhe liderin e LDK-së, Isa Mustafa.

Gjatë takimit me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Xhen Kllif, kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojnë ngushtë me Britaninë e Madhe në zhvillimin e kryeqytetit.

Kryetari Mustafa falënderoi ambasadorin britanik për përkrahjen e vazhdueshme nga Britania e Madhe.

“Biseduam po ashtu edhe për çështjet politike në cilësinë e kryetarit të LDK-së, sa i përket zgjedhjeve, qeverisjes në Kosovë dhe ardhmërisë së Kosovës dhe shpreha gatishmërinë tonë që ne si opozitë të japim kontributin konstruktiv në qeverisje të mirë dhe ndërtimin demokratik të Kosovës”, ka thënë Mustafa, pas takimit.

Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Xhen Kllif

ofroi mbështetje të plotë për zhvillimet politike dhe zhvillimet në kryeqytet.

“Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, ndërsa do të ndihmojë në tejkalimin e sfidave me të cilat po përballet Prishtina si qytet me një rritje tejet të shpejtë. Ne dëgjuam edhe pikëpamjet e z. Mustafa si lider i LDK-së në çështje të ndryshme aktuale, siç është dialogu me Serbinë, ndryshimet në sistemin elektoral dhe Kushtetutën dhe mendimet tjera të tij dhe partisë së tij si pjesë proceseve demokratike në vend” .

 

Mustafa tha se Britania e Madhe ka ndihmuar Kosovën në ndërtimin e demokracisë që nga paslufta. Ndryshe, ambasadori i ri britanik, Xhen Klif,  ka marrë detyrën e re në këtë muaj. Klif ka shërbyer si ambasador i Britanisë së Madhe në Bosnjë e Hercegovinë, Sudan, dhe në selinë e OSBE-së në Vjenë.